Më 13 dhe 14 maj 2025, në ambientet e Telemedicinës pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT), u zhvillua punëtoria për vlerësimin e përbashkët të rrezikut për tre zoonozat prioritare në Shqipëri. Aktiviteti u organizua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), me pjesëmarrjen e aktorëve kyç në fushën e shëndetit publik, shëndetit veterinar dhe shërbimeve të kujdesit shëndetësor.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) mori pjesë aktive në këtë aktivitet, përmes përfaqësuesve të tij nga Drejtoria Qendrore dhe nga Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në disa qarqe të vendit. Nga strukturat qendrore të OSHKSH-së, pjesëmarrës në punëtori ishin Eriola Xhelaj, juriste; Ilerta Bombi, mjeke veterinare; Rolanda Merkuri, specialiste në shëndet publik; Aida Xhani, mjeke stomatologe; Marsida Merdani, specialiste në menaxhim shëndetësor; Brikena Preni, farmaciste; Denis Ilias, jurist dhe Bukurie Hyseni, specialiste në shëndet publik.
Punëtorisë iu bashkuan gjithashtu përfaqësues nga njësitë vendore të kujdesit shëndetësor: Elona Gjergji, mjeke epidemiologe nga NJVKSH Tiranë; Dhurata Tafa, mjeke IS epidemiologe nga NJVKSH Durrës; Anila Moci, mjeke epidemiologe dhe Alma Resuli, ndihmës epidemiologe nga NJVKSH Fier; Agron Bashllari, mjek epidemiolog nga NJVKSH Vlorë; si edhe Dhurata Hysa, mjeke epidemiologe nga NJVKSH Shkodër.
Gjatë dy ditëve të punës intensive, pjesëmarrësit analizuan dhe vlerësuan tre zoonozat më prioritare për Shqipërinë: Brucelozën, Turbekulozin dhe Ethet e Nilit Perëndimor. Këto sëmundje përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin e kafshëve dhe të njerëzve, dhe evidentojnë nevojën për një qasje të integruar dhe të koordinuar mes institucioneve përgjegjëse.
Qëllimi i aktivitetit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërsektorial dhe promovimi i qasjes “Një Shëndet” (One Health), që thekson lidhjen e ngushtë mes shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit. Vlerësimi i përbashkët i rrezikut do të shërbejë si bazë për hartimin e planeve të ndërhyrjes së shpejtë dhe të koordinuar në rastet e emergjencave të shkaktuara nga zoonozat.
Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve kombëtare për menaxhimin efektiv të zoonozave dhe përballimin e kërcënimeve të përbashkëta shëndetësore. Për Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, pjesëmarrja në këtë proces është në përputhje me misionin e tij për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve dhe për mbrojtjen e shëndetit të popullatës shqiptare.