Në Tiranë u zhvillua punëtoria për Zhvillimin e Planit të Parandalimit, Gatishmërisë dhe Reagimit ndaj Sëmundjeve Zoonotike, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet kryesore të shëndetësisë dhe bujqësisë në vend. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ishte ndër institucionet që morën pjesë aktive në këtë proces ndërsektorial.

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte të forcohej bashkëpunimi ndërinstitucional në kuadër të qasjes One Health, duke rritur kapacitetet për reagimin ndaj emergjencave që prekin shëndetin publik dhe duke mbështetur hartimin e një Plani Kombëtar për Parandalimin, Gatishmërinë dhe Reagimin ndaj Sëmundjeve Zoonotike.

Diskutimet u përqendruan në menaxhimin e riskut në situata të emergjencave shëndetësore, në përgatitjen e planeve të reagimit dhe në përcaktimin e strukturës së planit kombëtar për përballimin e sëmundjeve zoonotike, të cilat mund të përhapen nga kafshët te njerëzit.

Kjo punëtori pason punëtorinë dyditore të zhvilluar më 13–15 maj 2025, gjithashtu në Tiranë, mbi Vlerësimin e Përbashkët të Riskut (Joint Risk Assessment – JRA), gjatë së cilës u identifikuan sëmundjet zoonotike me prioritet për vendin tonë.

Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mbetet i angazhuar në forcimin e kapaciteteve për përballimin e rreziqeve që cenojnë shëndetin publik, në bashkëpunim me institucionet partnere dhe me mbështetjen e vazhdueshme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo e fundit ka luajtur një rol thelbësor në nxitjen e një qasjeje të bashkërenduar ndërsektoriale, e cila është thelbësore për të përballuar sfidat që prekin shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.