Institucionet e varësisë
Operatori e shtrin veprimtarinë e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai organizohet në:
- Nivel rajonal, nëpërmjet drejtorive rajonale;
- Njësitë e ofrimit direkt të shërbimeve, të cilat përfshijnë njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, qendrat shëndetësore/ klinikat dhe institucionet shëndetësore me shtretër/ spitalet.
Drejtoritë rajonale mbulojnë jo më pak se 4 000 punonjës.
Drejtoritë rajonale raportojnë te drejtori i Përgjithshëm i Operatorit dhe kanë nën varësinë e tyre njësitë e ofrimit direkt të shërbimeve, të cilat përfshijnë njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, qendrat shëndetësore/ klinikat dhe institucionet shëndetësore me shtretër/ spitalet.
Drejtoritë rajonale kryejnë detyrat si më poshtë vijon:
- Planifikojnë nevojat për shërbime të kujdesit shëndetësor në nivel rajoni;
- Garantojnë që shërbimet shëndetësore të ofrohen brenda standardeve, në kohë, brenda buxhetit dhe në cilësinë e kërkuar, në territorin që mbulojnë;
- Koordinojnë, monitorojnë dhe sigurojnë ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor në nivel rajoni, pranë vendbanimit, për të gjithë qytetarët;
- Kryejnë procedurat për menaxhimin e burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor parësor, shëndetin publik dhe spitalor (planifikimi i nevojave, rekrutimi, trajnimi etj.) për rajonin përkatës;
- Bashkëpunojnë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) për çështje të lidhura me financimin e kujdesit shëndetësor;
- Bashkërendojnë punën ndërmjet të gjitha strukturave që kanë në varësi.