Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mori pjesë në Konferencën Rajonale të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), e organizuar më 29 maj 2025 nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Tiranë. Tema e kësaj konference kishte në qendër rëndësinë e kujdesit shëndetësor parësor si themel i mbulesës universale shëndetësore, duke mbledhur përfaqësues institucionalë dhe partnerë rajonalë nga sektorë të ndryshëm të shëndetësisë publike.

Në këtë aktivitet, Shqipëria u përfaqësua nga Drejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH-së, znj. Jeta Deda, e cila mbajti një fjalë mbi përvojën konkrete të vendit tonë në forcimin e shërbimeve parësore dhe ndikimin real të tyre në jetën e qytetarëve. Gjatë fjalës së saj, znj. Deda theksoi se kujdesi shëndetësor parësor në Shqipëri është porta hyrëse në sistemin shëndetësor dhe përbën hallkën më të rëndësishme për sigurimin e mbulimit shëndetësor për të gjithë. Ajo u ndal në mënyrë të veçantë në ofrimin falas të një game të gjerë shërbimesh për çdo qytetar, siç janë vizitat te mjeku dhe infermieri i familjes, konsultimet për gratë dhe fëmijët, kontrollet bazë mjekësore, depistimi për sëmundje si kanceri i gjirit apo i qafës së mitrës, depistimi i shikimit, trajtimi ambulator i pacientëve, planifikimi familjar dhe shërbimet komunitare të shëndetit mendor. Ajo vuri në dukje se këto shërbime janë të ofruara në mbi 360 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, duke përfshirë edhe zonat më të thella dhe të vështira për t’u mbuluar.

Znj. Deda ndau me pjesëmarrësit disa nga të dhënat më përfaqësuese të punës së OSHKSH-së gjatë periudhës 2020–2024. Vetëm gjatë vitit 2024 janë realizuar mbi gjashtë milionë vizita në kujdesin shëndetësor parësor, ndërsa gjatë katër viteve të fundit janë kryer mbi 312 mijë vizita shëndetësore në banesë për pacientë që nuk mund të lëvizin apo kanë nevoja të veçanta. Gjatë kësaj periudhe janë trajnuar mbi tre mijë profesionistë për zbatimin e Kontrollit Mjekësor Bazë dhe janë identifikuar mbi shtatëqind trajnerë të certifikuar që mbështesin zbatimin e këtij programi në të gjitha qendrat. Në të njëjtën kohë, qendrat shëndetësore në territor kanë organizuar gjithsej 973 trajnime të brendshme për edukimin në vazhdim të stafit shëndetësor, duke garantuar përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve.

Në fjalën e saj, znj. Deda evidentoi gjithashtu barrën e sëmundshmërisë të identifikuar gjatë vitit 2024, ku spikatën rastet me hipertension arterial, diabet, sëmundje koronare të zemrës, astmë, artrit reumatoid dhe sëmundje pulmonare obstruktive kronike. Ajo theksoi se evidenca të tilla janë të nevojshme për të drejtuar politikat shëndetësore dhe për të planifikuar më mirë burimet në nivel vendor.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës u përqendrua në sfidat e mbetura dhe objektivat strategjikë që kërkojnë përmbushje. Ndër to, znj. Deda përmendi mungesën e një sistemi të unifikuar inspektimi dhe monitorimi të shërbimeve në nivel kombëtar, nevojën për një model buxhetimi të bazuar në nevojat reale të popullsisë, krijimin e një strukture për koordinimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale për grupet e cenueshme, si dhe nevojën për organizim të strukturuar të programeve të depistimit në territor. Ajo gjithashtu vlerësoi kontributin dhe partneritetin e ngushtë me organizatat ndërkombëtare që e kanë mbështetur Shqipërinë në këtë rrugëtim, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, UNICEF, UNFPA, SDC, IADSA, etj..

Në përmbyllje të fjalës së saj, Drejtoresha e OSHKSH-së theksoi se përkushtimi institucional mbetet i qartë: të garantohet që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë dhe cilësore në shërbime shëndetësore, të përmirësohet koordinimi ndërinstitucional dhe të konsolidohet kujdesi parësor si hallkë qendrore e sistemit shëndetësor shqiptar. Kujdesi parësor nuk është vetëm një shërbim, por një drejtim strategjik për ndërtimin e një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm, afër qytetarit dhe të bazuar në prova.