Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) mori pjesë në trajnimin me temë “Praktikat që udhëheqin komunikimin e mirë të rrezikut”, organizuar në selinë e European Food Safety Authority (EFSA) në datat 28-29 tetor 2025, në Parma, Itali. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të EFSA-s me vendet e programit IPA (Instrument for Pre-Accession Assistance). Trajnimi synonte forcimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale në fushën e komunikimit të rrezikut në zingjirin ushqimor, duke mbështetur vendet kandidate dhe potenciale për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në trajnim morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Turqia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Programi përfshiu sesione teorike, raste studimore, ushtrime në grupe dhe diskutime interaktive me qëllim forcimin e aftësive praktike në zhvillimin e strategjive të komunikimit gjatë situatave të rrezikut ushqimor, si dhe në komunikimin me publikun dhe palët e interesuara.

Objektivat e komunikimit të rrezikut u prezantuan nga Giorgia Zamariola (Strategic Communications Team, EFSA). Trajnimi u fokusua në mënyrën se si përcaktohen objektivat SMART të komunikimit (specifikë, të matshëm, të arritshëm, relevantë dhe të kufizuar në kohë), për të siguruar mesazhe të qarta dhe efektive. U theksua dallimi ndërmjet ndërgjegjësimit dhe kuptimit, si dhe roli i komunikimit në ndryshimin e sjelljeve përmes mesazheve të personalizuara dhe të bazuara në prova shkencore. Një pjesë e rëndësishme iu kushtua luftës kundër keqinformimit dhe dezinformimit, duke u mbështetur në strategji të bazuara në shkencë, transparencë dhe komunikim të qartë. U prezantuan praktikat më të mira të EFSA-s për ndërtimin dhe ruajtjen e besimit publik, duke u bazuar në parime si sinqeriteti, përfshirja e palëve të interesuara dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.

Gjatë trajnimit u trajtua gjithashtu ndërtimi i strategjive të integruara të komunikimit, që lidhin objektivat, audiencat, mesazhet, kanalet dhe burimet, i prezantuar nga Anthony Smith (Strategic Communications Team, EFSA). U theksua se komunikimi i rrezikut duhet të jetë i bazuar në prova shkencore, i hapur, i pavarur dhe i qëndrueshëm  me vlerat institucionale. U diskutua rëndësia e njohjes së perceptimeve të publikut ndaj rrezikut, duke marrë në konsideratë faktorë socialë, kulturorë dhe psikologjikë që ndikojnë në mënyrën se si qytetarët  kuptojnë dhe reagojnë ndaj informacionit. Shembujt praktikë përfshinë komunikimin gjatë situatave të lidhura me Salmonella, Xylella Fastidiosa dhe Bisfenol A (BPA), ku strategjitë e EFSA-s kanë shërbyer si modele të suksesshme për ruajtjen e transparencës dhe reputacionit publik.

Një pjesë e trajnimit u përqëndrua në monitorimin dhe vlerësimin e komunikimit, i prezantuar nga Johanna Nemess dhe Giorgia Zamariola. U prezantuan mjetet dhe teknikat që EFSA përdor për monitorimin e ndikimit të komunikimit dhe vlerësimin e efektivitetit të fushatave, përmes përdorimit të instrumenteve si media narrative analysis, social listening, dhe web analytics, të cilët ndihmojnë në matjen e perceptimit publik, në identifikimin e temave emergjente dhe në përshtatjen e komunikimit në kohë reale. U theksua rëndësia që ka feedback-u nga palët e interesuara, zhvillimit të anketimeve para dhe pas fushatës, dhe krijimit të indikatorëve të performancës ( KPI) për matjen e rezultateve. Në përfundim, pjesëmarrësit zhvilluan një ushtrim praktik  për hartimin e një plani monitorimi dhe vlerësimi në kontekstin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin publik.

Pjesëmarrja në këtë trajnim solli një rritje të njohurive dhe aftësive profesionale në fushën e komunikimit të rrezikut, duke forcuar kapacitetet për planifikimin, zbatimin dhe vlerësimin e fushatave të komunikimit të rrezikut në nivel institucional. Trajnimi kontribuoi në përmirësimin e aftësisë për të përcaktuar objektiva të qarta dhe të matshme për zhvillimin e mesazheve të qarta dhe të orientuara ndaj audiencës, si dhe për të përdorur mjetet digjitale moderne në monitorimin e ndikimit publik. Përmes ndarjes së praktikave më të mira të EFSA-s dhe OBSH-së,  pjesëmarrësit fituan një kuptim të thelluar mbi rëndësinë e transparencës dhe koherencës në komunikimin e rrezikut. Trajnimi shërbeu si një platformë bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit, duke nxitur shkëmbimin e përvojave dhe harmonizinin e qasjeve në përputhje me standartet e Bashkimit Evropian për sigurinë ushqimore.