Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mori pjesë në takimet rajonale të zhvilluara në qytetin e Kukësit dhe qytetin e Korçës. Takimet u organizuan në kuadër të zbatimit të programit të UNICEF “Integrimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale në praktikën e konsultorit të fëmijës” në qarqet Tiranë, Vlorë, Korçë, Elbasan, Lezhë, Berat dhe Kukës, me mbështetjen e UNICEF Albania. Më datë 30 tetor 2025, në Park Plazza Hotel, Korçë, u zhvillua takimi i parë rajonal ndërsa takimi vijues u mbajt më 4 nëntor 2025 në qytetin e Kukësit, pranë ambjenteve të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH).
Në këto aktivitete morën pjesë përfaqësues të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, ku në nivel DQOSHKSH mori pjesë, z.Elisi Muco, Përgjegjës i Sektorit të Ofrimit të Shërbimeve ndërsa në nivel NJVKSH-je në Korçë morën pjesë titullarët e NJVKSH-ve të qyteteve Korçë, Pogradec, Devoll, dhe Kolonjë. Në Kukës pjesëmarrës ishin titullarët e DROSHKSH Shkodër, Has, Kukës dhe Tropojë, si dhe shefi i shërbimit të kujdesit parësor. Në takime morën pjesë edhe përfaqësues nga bashkia Korçë, Kukës, Maliq dhe nga Drejtoritë Rajonale të Fondit.
Takimet rajonale përfshinë tema mbi shkëmbimin e praktikave të mira nga NJVKSH dhe bashkia Korçë/bashkia Kukës, me NJVKSH-të dhe bashkitë fqinjë që nuk janë ende pjesë e programit, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e integrimit të shërbimeve shëndetësore.
Gjatë takimeve u diskutua mbi ecurinë e programit që përfshin 7 qarqe dhe 91 qendra shëndetësore (QSH) me një staf prej 747 personelësh shëndetësorë, nga të cilët 573 janë infermierë dhe 174 janë mjekë të trajnuar. Gjithashtu, u diskutua mbi përgatitjen e një ekipi prej 140 supervizorësh të trajnuar për mbikëqyrjen e standarteve të zbatuara nga personeli i vizitave në shtëpi në të gjitha qarqet.
Në kuadër të programit UNICEF, në bashkinë Kukës janë përfshirë 13 qendra shëndetësore, me 29 mjekë dhe 158 infermierë, 9 qendra të trajnuara me 7 mjekë dhe 37 infermierë, si dhe 9 qendra të pajisura me sistem raportimi përmes check listave dhe modelit excel. Gjithashtu, 9 qendra shëndetësore kanë vendosur bashkëpunim të qëndrueshëm me bashkinë dhe njësitë bashkiake, ndërsa 8 qendra të trajnuara raportojnë çdo vit vizitat në shtëpi sipas standarteve të reja të programit. Janë kryer gjithsej 1096 vizita në shtëpi, të realizuara sipas listave të reja të kontrollit. Rastet problematike të referuara lidhen kryesisht me vështirësi ekonomike dhe sociale, të cilat janë trajtuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimit Social të bashkisë.
Sipas programit, në bashkinë Korçë janë përfshirë 19 qendra shëndetësore me një staf prej 44 mjekësh dhe 110 infermierësh. Ndër këto, 9 qendra të trajnuara me 20 mjekë dhe 75 infermierë, 19 qendra shëndetësore të pajisura me instrumente si, peshore, matës gjatësie, fletëpalosje etj, 9 qendra të pajisura me sistemin e raportimit përmes check-listave dhe modelit excel, 9 qendra të pajisura me sistemin e referimit të problematikave të identifikuara, 9 qendra shëndetësore të përfshira në program që kanë vendosur bashkëpunim korrekt me bashkinë dhe njësitë bashkiake, si dhe 9 qendra shëndetësore të trajnuara, që raportojnë çdo vit vizitat në shtëpi sipas standarteve të reja të programit.
Gjatë vitit 2025 janë kryer 2964 vizita në shtëpi sipas check-listave të reja, ku janë raportuar 37 raste me problematika ekonomike-sociale, janë zgjidhur 20 raste nga bashkëpunimi ndërinstitucional dhe janë në shqyrtim për zgjidhje 7 raste. Problematikat të cilat kanë marrë mbështetje nga Drejtoria e Shërbimit Social në bashki dhe institucione të tjera, kanë qënë të natyrës ekonomike-sociale dhe të shëndetit mendor.
Në takime u diskutua mbi sfidat kryesore për vazhdimësinë e programit, të cilat përfshijnë zgjerimin gradual për të përfshirë të gjitha NJVKSH-të dhe institucionet e bashkive brenda qarqeve, me qëllim që të gjithë aktorët të punojnë me një standart të unifikuar shërbimi ndaj komunitetit. Ky proçes kërkon njohjen paraprakisht me këtë program të bashkive dhe NJVKSH-ve të reja, përmes transferimit të praktikave të mira nga NJVKSH-të dhe bashkitë fqinjë të trajnuara si dhe uniformizimin e praktikave të vizitave në shtëpi dhe raportimit, duke përdorur të njëjtin sistem që angazhon të gjitha institucionet e pushtetit vendor, për një përkujdesje cilësore ndaj komunitetit. Sfida të tjera mbeten forcimi i rolit të punonjësit social të QSH-ve në sistemin e raportimit dhe ndjekjen e rasteve problematike në terren, përgatitja dhe testimi i sistemit të raportimit online për infermierët e patronazhit në kohë reale, si dhe promovimi i praktikave të mira të bashkëpunimit mes sektorit shëndetësor dhe pushtetit vendor në zgjidhjen e rasteve problematike të referuara. Të gjitha këto nisma synojnë krijimin e një modeli më të mirë shërbimi ndaj familjeve dhe fëmijëve që përballen me probleme.
Takimet rajonale ishin të rëndësishme për OSHKSH sepse forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional, ndihmojnë në shkëmbimin e praktikave të mira dhe kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale për komunitetin.
