Më 21 korrik 2026, në kuadër të aktivitetit kombëtar “Nga angazhimi në financim: Investimi në shërbimet e specializuara për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore”, organizuar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC), morën pjesë përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve të zhvillimit. Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, i përfaqësuar nga Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme, znj. Rexhina Bici.
Aktiviteti shërbeu si një hapësirë dialogu ndërinstitucional mbi rëndësinë e financimit të qëndrueshëm të shërbimeve të specializuara për gratë dhe vajzat e mbijetuara të dhunës me bazë gjinore.
Gjatë aktivitetit u prezantua studimi kombëtar “Me çfarë kostoje? Kostimi i Shërbimeve të Specializuara për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në Shqipëri”, i cili paraqet një analizë të kostove reale të ofrimit të këtyre shërbimeve, kuadrit ligjor dhe institucional, si dhe nevojës për forcimin e financimit publik në përputhje me standardet e Konventës së Stambollit.
Diskutimet u përqendruan në integrimin e kostimit të shërbimeve në planifikimin afatmesëm dhe buxhetin e shtetit, zbatimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, pushtetit vendor, shoqërisë civile dhe partnerëve të zhvillimit.
Pjesëmarrja e OSHKSH në këtë aktivitet vjen në kuadër të misionit të tij për ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore, të aksesueshme dhe të orientuara ndaj nevojave të çdo qytetari.
Në përfundim, u theksua rëndësia e angazhimit të përbashkët institucional për të garantuar shërbime cilësore, të aksesueshme dhe të financuara në mënyrë të qëndrueshme për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore.
