Më datë 10 nëntor 2025, Znj. Jeta Deda, Drejtoreshë e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), mori pjesë në një leksion të hapur me studentët e vitit të gjashtë të degës së Mjekësisë së Përgjithshme, në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Leksioni u organizua me mbështetjen e Prof. Asoc. Qamil Dika, ekspert i shëndetit publik dhe pedagog pranë Fakultetit të Mjekësisë, i cili bëri të mundur realizimin e tij.

Gjatë leksionit, drejtoresha e përgjithshme e OSHKSH ndau eksperiencën e saj në drejtimin e këtij institucioni qëndror të sistemit shëndetësor shqiptar. Në fjalën e saj, znj. Deda u ndal te veprimtaria e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, duke theksuar rolin e tij në organizimin dhe mbështetjen e rrjetit të kujdesit shëndetësor parësor në të gjithë vendin. Po ashtu, foli për sfidat që shoqërojnë drejtimin dhe zhvillimin e një institucioni kyç të sistemit shëndetësor, si dhe për vizionin afatgjatë të OSHKSH për organizimin e qëndrueshëm të sistemit shëndetësor në tërësi.

Në vijim, u prezantua struktura politikëbërëse e shëndetësisë, strukturat ekzekutive, si edhe ndarjet e kujdesit shëndetësor në nivel parësor dhe spitalor, duke u ndalur në prioritetet dhe strategjitë kryesore të sektorit shëndetësor në vend. Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua problematikave të hasura në nivel parësor.

Duke i shprehur mirënjohjen Prof. Asoc. Qamil Dika për mundësimin e leksionit, theksojmë rëndësinë që ky takim pati në orientimin e duhur të studentëve, mjekëve të ardhshëm mbi hapat konkretë që duhet të ndjekin drejt punësimit të tyre në institucionet publike që ofrojnë kujdes shëndetësor në vend.