Më datë 14 korrik 2025, Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor iu drejtua ftesa për të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Shoqata “Together for Life”, me temë “Përhapja e pagesave informale në qendrat shëndetësore publike të Bashkisë së Tiranës”. Kjo tryezë u zhvillua në kuadër të projektit “Out of Sight: Informal Payments in Receiving Medical Services in Albania”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, në formën e një nëngranti të dhënë nga SELDI. Në fokus të diskutimeve ishin sfidat që paraqet fenomeni i pagesave informale në sistemin shëndetësor, si dhe rekomandimet për ta adresuar atë në mënyrë të qëndrueshme.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u përfaqësua në këtë aktivitet nga znj. Lorena Muhametaj, Përgjegjëse Sektori pranë Drejtorisë së Harmonizimit të Kujdesit Shëndetësor, e cila mbajti një fjalë në emër të institucionit. Në ndërhyrjen e saj, ajo theksoi se çdo pagesë e dhënë jashtë sistemit zyrtar të tarifave për shërbimet shëndetësore përbën mitmarrje dhe korrupsion, sipas përcaktimeve të qarta të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ajo nënvizoi se ky fenomen është i papranueshëm, si nga pikëpamja morale ashtu edhe ligjore, dhe kërkon një përgjigje të vendosur institucionale.
Znj. Muhametaj bëri të ditur se OSHKSH ka miratuar politika të qarta për integritetin institucional dhe zero tolerancë ndaj çdo forme abuzimi apo korrupsioni në sistemin e kujdesit shëndetësor parësor. Ajo gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e vendosjes në çdo institucion shëndetësor publik të Koordinatorit Antikorrupsion, si një masë konkrete për të forcuar rolin e mbikëqyrjes dhe referimit të rasteve. Këta koordinatorë janë atashuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministri i Shtetit për Antikorrupsionin dhe Administratën Publike, dhe shërbejnë si hallka e parë për trajtimin administrativ të rasteve të dyshuara të shkeljeve.
Në të njëjtën linjë, u theksua rëndësia që ka zbatimi i ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i cili krijon një bazë të fortë ligjore për raportimin e veprimeve të parregullta nga qytetarët apo punonjësit e institucioneve publike, duke garantuar mbrojtjen e tyre nga çdo formë ndëshkimi apo presioni. OSHKSH mbështet fuqimisht krijimin e një klime të besimit dhe sigurie për ata që zgjedhin të raportojnë korrupsionin.
Gjatë tryezës u prezantuan edhe disa gjetje nga një anketim me 400 qytetarë në Bashkinë Tiranë. Përballë të dhënave, përfaqësuesja e OSHKSH theksoi se është e rëndësishme të kuptohet natyra e këtyre të dhënave, që në analizën më të mundshme janë bazuar në perceptime qytetare. Ajo ngriti edhe pyetjen legjitime se nëse gjatë intervistimeve janë hasur raste konkrete të mitmarrjes, përse nuk janë referuar ato pranë organeve ligjzbatuese, duke qenë se aktorët që kryejnë intervistat janë të financuar nga donatorë dhe mbajnë një përgjegjësi morale dhe institucionale përballë rasteve të paligjshmërisë.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor rithekson angazhimin e tij për ndërtimin e një sistemi shëndetësor që respekton barazinë, integritetin dhe dinjitetin e çdo qytetari. Çdo shërbim shëndetësor i financuar nga fondet publike duhet të jetë falas për qytetarin dhe i garantuar me cilësi. Vetëm përmes ndërgjegjësimit, bashkëpunimit institucional dhe mbështetjes së sinjalizimit të abuzimeve mund të sigurojmë një sistem shëndetësor të drejtë dhe të besueshëm për të gjithë.