Më 25 korrik 2025, në sallën “Akernia” të Hotel Tirana International, u zhvillua konferenca kombëtare “Zgjerimi dhe zbatimi i shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në Banesë në Shqipëri nga strukturat e Kujdesit Parësor Shëndetësor”. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, profesionistë të kujdesit shëndetësor dhe drejtues të strukturave të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH).
Konferenca nisi me një video ku vetë pacientët ndanë përvojat e tyre të drejtpërdrejta me kujdesin mjekësor që marrin në banesë, një kujdes që i afron profesionistët e shëndetësisë me njerëzit që kanë më shumë nevojë, në mënyrë të denjë dhe njerëzore.
Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, fjalën e hapjes e mbajti Zëvendësministrja znj. Mira Rakacolli, e cila theksoi rëndësinë e këtij modeli në ndihmë të pacientëve kronikë dhe personave me vështirësi në lëvizje. Më pas, Dr. Albiona Lamaj, drejtore e Qendrës Shëndetësore Patos, ndau eksperiencën e tyre konkrete në zbatimin e shërbimit në banesë, duke ofruar një shembull frymëzues për të gjitha qendrat e tjera në vend.
Të pranishëm në aktivitet ishin Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Shkëlqesia e Saj znj. Ruth Huber, dhe Shefi i UNICEF Albania, z. Murat Sahin, të cilët vlerësuan progresin dhe theksuan mbështetjen e vazhdueshme për forcimin e këtij modeli.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ishte i përfaqësuar gjerësisht në këtë aktivitet. Përveç Drejtoreshës së Përgjithshme, në konferencë morën pjesë 4 drejtorët rajonalë të OSHKSH, 36 drejtues të Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, 36 përgjegjës të kujdesit parësor, 4 drejtues të kujdesit parësor në nivel rajonal, rreth 50 përfaqësues të qendrave shëndetësore që kanë aplikuar me sukses shërbimin në banesë, si dhe përfaqësues nga Drejtoria Qendrore e OSHKSH.
Në sesionin e dytë të konferencës, znj. Sajmira Aderaj nga Projekti HAP prezantoi rezultatet e bashkëpunimit me shtetin zviceran, ndikimin pozitiv të tij dhe rekomandimet për të ardhmen. Ndërkohë, përfaqësueset e katër drejtorive rajonale të OSHKSH, znj. Ediona Kola (Tiranë), znj. Matilda Karaj (Elbasan), znj. Majlinda Gjika (Vlorë) dhe znj. Edona Rexhepi (Shkodër), ndanë sfidat dhe arritjet e strukturave të tyre në zbatimin e shërbimit në nivel vendor.
Në panelin e diskutimit “Kujdesi shëndetësor në banesë një komponent i rëndësishëm i shërbimeve të integruara të Kujdesit Shëndetësor”, OSHKSH u përfaqësua nga znj. Jeta Deda, e cila theksoi rëndësinë e koordinimit mes niveleve qendrore dhe vendore, si dhe nevojën për vazhdimësi dhe cilësi në ofrimin e këtij shërbimi.
Ky aktivitet shërbeu si një moment reflektimi dhe vlerësimi për rrugëtimin e deritanishëm të shërbimeve të kujdesit në banesë, por edhe si pikënisje për fazat e mëtejshme të forcimit dhe zgjerimit të modelit në të gjithë vendin. Puna e ekipeve të përkushtuara të mjekëve dhe infermierëve që i shkojnë pacientit në shtëpi, mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë dhe angazhimi i strukturave tona vendore janë tregues të një sistemi që po transformohet çdo ditë për të qenë më i afërt, më gjithëpërfshirës dhe më njerëzor.