Më datë 25 qershor 2025, në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) në Vlorë, u zhvillua një takim teknik me karakter ndërinstitucional, i organizuar nga ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në bashkëpunim me përfaqësues nga Drejtoria Qendrore dhe Rajonale e OSHKSH-së, si dhe profesionistë nga Spitali Rajonal Vlorë.
Ky takim kishte për qëllim adresimin e hapave konkretë për identifikimin, eliminimin dhe zëvendësimin e pajisjeve mjekësore që përmbajnë merkur, në funksion të zbatimit të Konventës së Minamatës dhe legjislacionit shqiptar në fuqi. Procesi lidhet drejtpërdrejt me detyrimet që rrjedhin nga Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 442, i cili përcakton ndalimin përfundimtar të përdorimit të pajisjeve me përmbajtje merkuri deri më 31 dhjetor 2025.
Spitali Rajonal Vlorë dhe Spitali Rajonal Dibër janë përzgjedhur si spitale pilot në këtë fazë fillestare. Ekspertët e OBSH-së prezantuan formularin standard të inventarizimit, duke theksuar rëndësinë e plotësimit të saktë të të dhënave dhe nevojën për ndërgjegjësimin dhe trajnimin e stafit mjekësor dhe teknik për përdorimin e pajisjeve alternative pa merkur.
Në fjalën e saj hyrëse, Drejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH-së, znj. Jeta Deda, vlerësoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për forcimin e sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve në sistemin shëndetësor. Ajo nënvizoi se përzgjedhja e Spitalit Rajonal Vlorë dhe Spitalit Rajonal Dibër si spitale pilot për fazën fillestare të projektit përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zbatimit efektiv të standardeve ndërkombëtare, duke u shndërruar në modele për të gjitha institucionet e tjera në vend.
Nga ana tjetër, znj. Olta Ganaj, Drejtoreshë Rajonale e OSHKSH-së në Vlorë, shprehu angazhimin maksimal të strukturave vendore për zbatimin e suksesshëm të këtij procesi. Ajo theksoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, përfshirë qendrat shëndetësore dhe spitalet bashkiake, si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgatitjen e stafit mjekësor dhe teknik për përballimin e ndryshimeve që sjell zëvendësimi i pajisjeve me përmbajtje merkuri me alternativa të sigurta dhe bashkëkohore.
Gjatë takimit, ekspertët e OBSH-së prezantuan kornizën ligjore dhe teknike që mbështet procesin e largimit të pajisjeve me merkur, si dhe formularin standard për inventarizimin e tyre. U diskutua gjithashtu rëndësia e sigurimit të kushteve të duhura për grumbullimin dhe eliminimin e sigurt të pajisjeve, si dhe planifikimi për përdorimin e alternativave moderne dhe të certifikuara sipas standardeve të BE-së.
U vendos që formulari i inventarizimit të dorëzohet brenda afatit. Gjithashtu, do të organizohen takime të mëtejshme për të përcaktuar vendndodhjen e sigurt për ruajtjen e pajisjeve dhe për të shpërndarë formularin KAP për vlerësimin e njohurive dhe perceptimeve të stafit mjekësor. Drejtoria Qendrore e OSHKSH-së do të vazhdojë të mbikëqyrë implementimin e projektit pilot në spitalet rajonale, ndërsa pajisjet zëvendësuese do të jenë të certifikuara dhe të standardizuara sipas praktikave evropiane.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të një shërbimi shëndetësor më të sigurt dhe mbrojtjes së mjedisit, në përputhje me angazhimet ndërkombëtare.