Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) mori pjesë në workshop-in “Transforming NCD Care: From Evidence to Action with DigiCare4You”, i organizuar më 9 prill 2026 në ambientet e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në kuadër të finalizimit të projektit ndërkombëtar DigiCare4You, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Ky aktivitet mblodhi përfaqësues të institucioneve kryesore publike, organizatave ndërkombëtare, komunitetit akademik dhe profesionistëve të shëndetësisë, duke krijuar një platformë të përbashkët diskutimi mbi sfidat dhe mundësitë në parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike, si diabeti tip 2 dhe hipertensioni arterial.
Gjatë tryezës u prezantuan rezultatet dhe praktikat më të mira të zhvilluara në kuadër të projektit DigiCare4You, i cili synon promovimin e qasjeve inovative dhe të qëndrueshme për përmirësimin e kujdesit shëndetësor, veçanërisht në nivelin e kujdesit parësor. Diskutimet u përqendruan në mënyrat konkrete të integrimit të këtyre ndërhyrjeve në politikat kombëtare të shëndetit publik dhe në strategjitë afatgjata për adresimin e barrës në rritje të sëmundjeve jo të transmetueshme.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Instituti i Shëndetit Publik, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Bashkia Tiranë, Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë, si dhe përfaqësues të universiteteve, shoqatave profesionale, klinicistë dhe pacientë. Prania e një game të gjerë aktorësh theksoi rëndësinë e një qasjeje të integruar dhe ndërsektoriale në përballimin e sëmundjeve kronike.
Workshop-i shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt kalimit nga evidenca shkencore në veprime konkrete, duke nxitur bashkëpunimin ndërinstitucional dhe duke kontribuar në hartimin e një udhërrëfyesi të përbashkët për zbatimin e modeleve të reja të kujdesit shëndetësor.
Pjesëmarrja e OSHKSH në këtë aktivitet rikonfirmon angazhimin për të mbështetur iniciativa që synojnë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe forcimin e rolit të kujdesit parësor në Shqipëri, në përputhje me praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare.