Më 5 qershor 2025, u zhvillua një takim konsultues i organizuar nga HAP – Health for All Project, me temën: “Manuali për Psikologun që punon në Qendrat Socio-Shëndetësore të Kujdesit Parësor”.
Në këtë takim morën pjesë psikologë, mjekë të familjes dhe infermierë nga disa qendra shëndetësore të Tiranës, Fierit, Shkodrës dhe Elbasanit, si dhe përfaqësues nga Drejtoria Qendrore e OSHKSH-së Zj. Aida Xhani, me qëllim prezantimin e draft-strukturës së manualit të punës, i cili do të shërbejë si udhëzues për psikologët në qendrat e kujdesit shëndetësor parësor.
Manuali ka për qëllim të ndihmojë psikologët të ofrojnë shërbime profesionale për individët që përballen me sfida emocionale dhe psikologjike, si: depresioni, ankthi, varësitë, stresi kronik etj. Për më tepër, ky dokument do të përdoret si material didaktik për trajnimin e tyre profesional, duke garantuar ofrimin e shërbimeve cilësore.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e përfshirjes së psikologëve në ekipet e mjekësisë familjare, roli i bashkëpunimit ndërdisiplinar dhe përdorimi i mjeteve të vlerësimit dhe ndërhyrjeve psikologjike. Një tjetër pikë kyçe ishte prezantimi i një udhëzuesi pedagogjik që do të përdoret për trajnimin e mëtejshëm të profesionistëve në këtë fushë.
Takimi u përqendrua në krijimin e një udhëzuesi praktik, që jo vetëm do t’i mbështesë psikologët në punën e tyre të përditshme, por gjithashtu do të kontribuojë në forcimin e rolit të tyre në sistemin shëndetësor parësor.