Më 20 mars 2025, në Ditën Botërore të Shëndetit Oral, Klinika Stomatologjike Universitare dhe Shoqata Dentare Shqiptare organizuan Konferencën “Kujdesi i Shëndetit Oral në Moshën Pediatrike”, e cila mblodhi ekspertë të shëndetit oral nga e gjithë Shqipëria.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u përfaqësua nga Drejtoresha e Përgjithshme, znj. Jeta Deda, e cila mbajti fjalën përshëndetëse dhe koordinoi organizimin së bashku me mjekët ekspertë të stomatologjisë, dr. Endri Jashari dhe dr. Aida Xhani, si dhe me operatorët rajonalë e lokalë dhe njësitë vendore të kujdesit shëndetësor.
Ceremonia e hapjes u përshëndet nga Kryetarja e Shoqatës Dentare Shqiptare, znj. Etleva Qeli Droboniku, dhe Drejtuesja e Klinikës Stomatologjike Universitare, znj. Belisa Kaleci.
Gjatë konferencës, u trajtuan tema me rëndësi në shëndetin oral të fëmijëve. Dr. Orjana Tamburi prezantoi sfidat e shërbimit stomatologjik publik si shërbim shëndetësor në shkolla, ndërsa dr. Enida Petro trajtoi përdorimin e sedacionit koshient në trajtimet dentare për fëmijët, duke e ndarë punimin e saj në dy pjesë. Dr. Eno Gaçe analizoi problematikat e shëndetit oral dhe menaxhimin e tyre tek fëmijët me nevoja të veçanta, kurse dr. Eneida Prifti foli për ortodoncinë interceptive, duke theksuar fokusin dhe kohën e duhur të ndërhyrjes.
Pjesa e dytë e konferencës, e moderuar nga dr. Gerta Kaçani dhe dr. Besmira Karafili Huta, vijoi me prezantime mbi studime dhe praktika të ndryshme në stomatologji pediatrike. Dr. Eva Habazaj diskutoi përdorimin e silver diamin fluoridit në trajtimin dhe parandalimin e lezioneve karioze, duke sjellë një rishikim të literaturës, ndërsa dr. Dorjan Hysi u ndal tek matja e kariesit dentar dhe indekset përkatëse. Dr. Olja Tanellari prezantoi rolin e mjekut stomatolog në sindromin e apnesë obstruktive të gjumit në moshat pediatrike, një temë që u trajtua në dy pjesë. Nga ana tjetër, dr. Renato Isufi analizoi menaxhimin kirurgjikal të kaninave maksilare të impaktuara në adoleshentë, ndërsa dr. Tanita Daci solli një studim kros-seksional mbi problematikat më të shpeshta të shëndetit oral në grupmoshat 6-12 vjeç, duke u fokusuar në dy zona rurale të Shqipërisë.
Pas çdo prezantimi, pjesëmarrësit, përshirë stomatologë, infermierë ndihmës dhe teknikë të tjerë të shkencave mjekësore, u angazhuan në diskutime të frytshme mbi çështje kyçe si përdorimi i kripës së fluorizuar dhe nevoja për vëmendje të veçantë në ofrimin e shërbimeve stomatologjike për fëmijët me nevoja të veçanta dhe aftësi ndryshe.
Kjo konferencë konfirmoi edhe një herë rëndësinë e shëndetit oral në moshën pediatrike dhe nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm midis institucioneve publike dhe profesionistëve të shëndetësisë për të siguruar shërbime më cilësore për fëmijët.