Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) mori pjesë në Konferencën Kombëtare “Vlerësimi i sfidave dhe reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore në shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri”, organizuar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) me mbështetjen e Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit AGORA.

Gjatë konferencës, u prezantua raporti që analizon mënyrën se si sistemi i kujdesit parësor shëndetësor në Shqipëri përgjigjet ndaj rasteve të dhunës me bazë gjinore, duke identifikuar barrierat strukturore, ligjore dhe kulturore, si dhe duke ofruar rekomandime për përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH-së, znj. Jeta Deda, theksoi rëndësinë e forcimit të reagimit të rrjetit të njësive të OSHKSH-së për adresimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore, duke nënvizuar nevojën për standardizimin e rrugëve të referimit, përmirësimin e trajnimit të stafit shëndetësor, si dhe zgjerimin e këtij modeli bashkëpunimi në të gjitha qarqet e vendit.

Ajo vuri në dukje se burimet njerëzore në kujdesin shëndetësor janë dinamike, ndaj është thelbësore që çdo trajnim, udhëzim dhe reagim institucional të përditësohet vazhdimisht, në mënyrë që çdo profesionist shëndetësor të jetë i gatshëm të veprojë me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe respekt ndaj viktimave të dhunës.

OSHKSH mbetet plotësisht e angazhuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, duke promovuar një qasje të ndjeshme ndaj viktimave të dhunës dhe duke garantuar që çdo profesionist shëndetësor të jetë i pajisur me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të vepruar me etikë dhe përgjegjshmëri.

Ky angazhim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme  për të ndërtuar një sistem shëndetësor sa më gjithëpërfshirës dhe më të përgjegjshëm ndaj nevojave të komunitetit.