Në kuadër të nisjes së sezonit të gripit 2025–2026, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) dhe Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) zhvilluan takime me pjesëmarrjen e menaxherëve të shëndetit publik, përfshirë drejtues rajonalë të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, drejtues të tridhjetë e gjashtë NJVKSH-ve, etj..
Takimet u drejtuan nga Dr. Silva Bino dhe znj. Jeta Deda, Drejtore e Përgjithshme e OSHKSH. Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e mbrojtjes së grupeve më të rrezikuara nga gripi, si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe pacientët me sëmundje kronike. U nënvizua gjithashtu domosdoshmëria e vaksinimit të personelit shëndetësor, i cili jo vetëm mbron veten dhe pacientët, por shërben edhe si shembull pozitiv për qytetarët. Po ashtu, u theksua rëndësia e vaksinimit për mësuesit, edukatorët dhe shërbimin policor.
Një tjetër pikë e rëndësishme ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shëndetësore në të gjitha nivelet, me qëllim sigurimin e një mbulimi sa më të gjerë me vaksinën e gripit. Në vijim, u prezantua një analizë mbi performancën aktuale të mbulimit vaksinal, duke theksuar progresin e arritur vitet e fundit dhe sfidat që mbeten për sezonin e ardhshëm.
Vaksina e gripit sezonal ofrohet falas në çdo qendër shëndetësore pranë mjekut të familjes dhe mbetet një ndërhyrje thelbësore për të reduktuar komplikacionet, për të shpëtuar jetë dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. ISHP dhe OSHKSH ftojnë të gjithë qytetarët, veçanërisht ata që i përkasin grupeve më të rrezikuara, të vaksinohen për të qenë të mbrojtur gjatë sezonit të gripit.