Në kuadër të tryezës së nivelit të lartë të organizuar nga Western Balkans University, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) mori pjesë në një diskutim mbi integrimin e farmacistit komunitar në kujdesin shëndetësor parësor dhe zhvillimin e modeleve bashkëkohore të ofrimit të shërbimeve shëndetësore në komunitet.

Gjatë aktivitetit, Drejtorja e Përgjithshme e OSHKSH prezantoi rolin institucional të Operatorit, si dhe sfidat kryesore me të cilat përballet sistemi i kujdesit shëndetësor parësor, duke vënë theksin në kompleksitetin e menaxhimit të rrjetit kombëtar të qendrave shëndetësore dhe në nevojën për zgjidhje të qëndrueshme që kontribuojnë në rritjen e cilësisë së shërbimeve, sigurisë së pacientit dhe eficiencës në përdorimin e burimeve njerëzore.

Në këtë kontekst, u evidentua rëndësia e modeleve të avancuara europiane, veçanërisht eksperienca britanike e farmacistit komunitar, ku ky profesionist shëndetësor është i integruar në ekipin multidisiplinar të kujdesit shëndetësor parësor dhe kontribuon në menaxhimin e barnave, këshillimin klinik, ndjekjen e pacientëve me sëmundje kronike, farmakovigjilencën dhe promovimin e përdorimit racional të barnave.

Diskutimet nënvizuan se integrimi i farmacistit komunitar në kujdesin shëndetësor parësor duhet të bazohet në modele funksionale dhe fleksibël, të përshtatura me praktikat më të mira europiane, duke shmangur qasjet formale dhe joefikase dhe duke orientuar shërbimet drejt nevojave reale të komunitetit.

Tryeza shërbeu si një platformë dialogu ndërinstitucional, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike, akademisë, profesionistëve të shëndetësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.

OSHKSH do të vijojë të marrë pjesë dhe të kontribuojë në nisma të tilla dialogu dhe konsultimi, në funksion të analizimit dhe zhvillimit të modeleve të përshtatshme për forcimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe rritjen e rolit të profesionistëve shëndetësorë në përputhje me prioritetet e politikave shëndetësore.