Më 18 mars 2026, u mbajt paneli i diskutimit mbi zhvillimin e ekosistemit shëndetësor në Shqipëri, organizuar nga EU4Innovation dhe GIZ Albania, në kuadër të iniciativës “Harvesting Innovation with EIT Health – Addressing Albania’s Health Priorities”.

Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve kryesore të sistemit shëndetësor dhe akademisë, duke përfshirë Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Institutin e Shëndetit Publik, Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Social, Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, Western Balkans University dhe Albanian University. Paneli u moderua nga znj. Elona Xhaferri pranë EU4Innovation, GIZ Albania.

Në këtë panel, Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor e përfaqësoi znj. Rolanda Mërkuri, Drejtor në Drejtorinë e Racionalizimit të Kujdesit Shëndetësor, e cila paraqiti këndvështrimin institucional mbi sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e menaxhimit të shërbimeve shëndetësore. Diskutimi u fokusua në çështje kyçe që lidhen me rritjen e efikasitetit të sistemit, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe garantimin e aksesit të barabartë për pacientët në të gjithë territorin e vendit, duke reflektuar një qasje të integruar dhe ndërinstitucionale ndaj zhvillimit të sektorit.

Nga ana e OSHKSH-së u evidentuan prioritetet për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit, ku u theksua nevoja për integrimin e telemjekësisë në sistemet elektronike ekzistuese, me qëllim rritjen e aksesit dhe sigurimin e vazhdimësisë së kujdesit për pacientët në të gjitha nivelet e shërbimit. Një tjetër drejtim i rëndësishëm ishte digjitalizimi dhe fuqizimi i kapaciteteve laboratorike, veçanërisht për laboratorët e shëndetit publik në nivel lokal, duke e konsideruar këtë si një element të rëndësishëm për diagnostikimin e hershëm dhe menaxhimin efektiv të rreziqeve shëndetësore.

Në përputhje me orientimin institucional drejt një sistemi më të qëndrueshëm, u nënvizua rëndësia e parandalimit të sëmundjeve dhe promovimit të shëndetit, si dhe roli i monitorimit të pacientëve kronikë si një komponent thelbësor për përmirësimin e cilësisë së kujdesit dhe reduktimin e komplikacioneve afatgjata. Përfaqësuesit e institucioneve të tjera pjesëmarrëse theksuan gjithashtu rëndësinë e digjitalizimit, integrimit të të dhënave shëndetësore dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, si parakushte për përmirësimin e analizës dhe vendimmarrjes në nivel sistemi. Në të njëjtën linjë, u evidentua nevoja për standardizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave të cilësisë dhe transparencës në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Kontributi i institucioneve akademike u përqendrua në nevojën për ndërtimin e një sistemi të integruar kombëtar, ku strukturat publike, private dhe universitare të jenë të ndërlidhura dhe të kenë akses në kohë reale në të dhënat shëndetësore, duke mundësuar analiza më të avancuara dhe orientim më të saktë të politikave shëndetësore. Gjithashtu, u theksua rëndësia e shkëmbimit të praktikave më të mira me vendet evropiane dhe lidhjes me ekosistemet e inovacionit, si një instrument për përshpejtimin e modernizimit të sistemit.

Në përmbyllje, u bë e ditur se do të ofrohen programe dhe mundësi konkrete mbështetjeje për institucionet, me mbështetjen e EIT Health, me fokus në inovacionin dhe digjitalizimin e sektorit. Ky takim kontribuoi në forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe në qartësimin e prioriteteve të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, duke mbështetur realizimin e misionit të tij për ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore, të aksesueshme dhe të bazuara në standarde të qëndrueshme në të gjithë territorin e vendit.