Nga data 16 deri më 19 shtator 2025, në Tiranë u zhvillua seminari i tretë dhe i fundit i Laboratorëve të Inovacionit, organizuar nga projekti SOLIDAR. Tema e seminarit ishte: “Prototipizimi i Zgjidhjeve për Sistemin e Kujdesit Shëndetësor në Shqipëri”.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Institutit të Shëndetit Publik, Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Nga Drejtoria Qendrore ishin të pranishëm Eriola Xhelaj, Denis Ilias, Dorian Sevo dhe Elena Gjinaj.
Pjesëmarrësit u ndanë në grupe pune dhe gjatë katër ditëve zhvilluan idetë e tyre, duke i kthyer në prototipe konkrete dhe të gatshme për testim. Fokusi kryesor ishte përmirësimi i shpejtësisë dhe aksesit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, përmes përdorimit të teknologjive të reja. Një nga temat më të diskutuara ishte platforma e-Albania, që ka lehtësuar ndjeshëm marrjen e shërbimeve shëndetësore online.
Erjola Xhelaj prezantoi shërbimet digjitale që tashmë ofrohen në këtë platformë, si konsultat mjekësore, recetat dhe pagesat, të cilat ndihmojnë qytetarët të kursejnë kohë dhe të kenë më shumë transparencë.
Përveç teknologjisë, Laboratorët e Inovacionit u përqendruan edhe tek përmirësimi i shërbimeve ekzistuese, forcimi i marrëdhënieve mes mjekëve dhe pacientëve, si dhe garantimi i një kujdesi më të mirë për grupet më vulnerabël të shoqërisë. Qëllimi është të gjenden zgjidhje që mund të zbatohen në praktikë dhe që ofrojnë shërbime më cilësore, më të drejta dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët.
Seminari përfundoi me përgatitjen e disa propozimeve konkrete, të cilat do të prezantohen në një aktivitet të posaçëm në nëntor, me pjesëmarrjen e institucioneve dhe partnerëve kryesorë. Kjo do t’u hapë rrugë ideve të reja për t’u kthyer në veprime të prekshme, duke ndihmuar në përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe reagimit ndaj emergjencave në Shqipëri.