Më 18 Shtator 2024, në Tiranë, u zhvillua takimi i nisjes së projektit “Heqja e Pajisjeve Matëse me Mërkur nga Kujdesi Shëndetësor”, një nismë e rëndësishme për të eliminuar përdorimin e pajisjeve matëse që përmbajnë mërkur në institucionet shëndetësore të Shqipërisë. Projekti ka për synim të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë dëmet ndaj mjedisit, në përputhje me detyrimet e Shqipërisë në kuadër të Konventës së Minamatës për Mërkurin, të ratifikuar në vitin 2020.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, spitalet rajonale, spitalet bashkiake, institucionet e tjera shëndetësore publike dhe agjenci të tjera shtetërore. Drejtoresha e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, znj. Jeta Deda, mbajti një fjalim përshëndetës, duke vënë theksin mbi rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e standardeve të sigurisë në ambientet shëndetësore.
Sipas znj. Deda, mërkuri është një nga substancat më toksike për njeriun dhe mjedisin. Ajo citoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila e ka identifikuar mërkurin si një nga dhjetë kimikatet më të rrezikshme për shëndetin publik. Eliminimi i pajisjeve që përmbajnë mërkur do të ndihmojë në mbrojtjen e qytetarëve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor nga ekspozimi ndaj këtij kimikati të dëmshëm.
Projekti është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë për zbatimin e akteve nënligjore që përcaktojnë rregullat për ndalimin e eksportit të mërkurit metalik dhe ruajtjen e sigurt të tij. Për më tepër, projekti ka mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) si Agjencia Ekzekutive dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) si Agjencia Implementuese, financuar nga Fondi Global për Mjedisin (GEF).
Znj. Deda falënderoi të gjitha palët e interesuara për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërsektorial për të garantuar suksesin e këtij projekti. Ajo ftoi pjesëmarrësit të ndajnë përvojat dhe idetë e tyre për të ndihmuar në hartimin e një plani veprimi të qartë dhe të efektshëm.
Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së objektivave kombëtare për reduktimin e përdorimit të substancave të rrezikshme në kujdesin shëndetësor dhe për përmirësimin e standardeve të sigurisë për pacientët dhe profesionistët e shëndetit.