Në datën 3 tetor 2025 u zhvillua konferenca me temë “Guidat shëndetësore për fëmijët dhe të rriturit me sindromën down”, një aktivitet i rëndësishëm që bashkoi profesionistë të fushës së shëndetësisë, përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave partnere, për të diskutuar mbi përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe cilësisë së jetës për personat me Sindromën Down në Shqipëri.
Konferenca u organizua nga Fondacioni Down Syndrome Albania, në bashkëpunim me Global Down Syndrome Foundation, në kuadër të projektit “Reach for Health-II”, dhe solli në vëmendje rëndësinë e përdorimit të udhëzuesve shëndetësorë të përkthyer në gjuhën shqipe, të miratuar nga Akademia Amerikane e Pediatrisë.
Këto udhëzues përfaqësojnë një standard bashkëkohor për ndjekjen e shëndetit të fëmijëve dhe të rriturve me Sindromën Down, duke u shërbyer mjekëve, prindërve dhe institucioneve si një mjet praktik e i domosdoshëm në punën e përditshme.
Në këtë konferencë mori pjesë edhe Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), si përfaqësues i sistemit publik të kujdesit shëndetësor parësor.
Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH-së, znj. Jeta Deda, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile për ndërtimin e një sistemi më gjithëpërfshirës, ku çdo fëmijë dhe çdo familje të ndjehet e mbështetur. Ajo nënvizoi se kujdesi për personat me Sindromën Down nuk është vetëm një detyrim mjekësor, por një përgjegjësi morale dhe njerëzore që kërkon përkushtim të vazhdueshëm.
Pjesëmarrja e OSHKSH-së në këtë konferencë pasqyron angazhimin e institucionit në forcimin e rrjetit të qendrave socio-shëndetësore, në rritjen e kapaciteteve profesionale të stafit shëndetësor, si dhe në përmirësimin e aksesit dhe cilësisë së shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara në të gjithë vendin.
Nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe partnerët ndërkombëtarë, OSHKSH vijon të kontribuojë në ndërtimin e një sistemi shëndetësor që vendos në qendër njeriun, barazinë dhe dinjitetin.
Ky aktivitet dëshmon përkushtimin e përbashkët për të krijuar një mjedis shëndetësor dhe shoqëror më të drejtë, më të ndjeshëm dhe më gjithëpërfshirës, ku çdo person me Sindromën Down të ketë mundësinë të zhvillohet, të kujdeset dhe të jetojë me dinjitet.