Më datë 7 korrik 2025, në ambientet e Drejtorisë Qendrore të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), u zhvillua një takim pune me përfaqësues të projektit “Solidar”, një iniciativë e rëndësishme për fuqizimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri, veçanërisht në komponentët e emergjencës dhe pajisjeve mjekësore për qendrat 24/7.
Takimi u drejtua nga Drejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH-së, znj. Jeta Deda, e cila ndau përvojat dhe përpjekjet aktuale të institucionit për modernizimin e qendrave shëndetësore dhe rritjen e kapaciteteve të personelit shëndetësor. Ajo prezantoi gjithashtu projektin IADSA që po zbatohet në rajonin e Vlorës, duke përfshirë rikonstruksionin, pajisjen dhe trajnimin e qendrave shëndetësore.
Në fokus të diskutimit ishte koordinimi midis projektit “Solidar” dhe blerjeve që po realizohen aktualisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për institucionet shëndetësore. U ra dakord që të kryqëzohen listat e pajisjeve që planifikohen të blihen për të shmangur mbivendosjet dhe për të optimizuar burimet.
Znj. Deda theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të Qendrave Komunitare të Shëndetit Mendor në Lezhë, Durrës dhe Fier, si dhe nevojën për përfshirjen aktive të pushtetit vendor në identifikimin e nevojave të komuniteteve më të ndjeshme.
Përfaqësuesit e projektit “Solidar”, znj. Lina Brandt, z. Filip Vila dhe znj. Mirela Çela, ndanë ecurinë e deritanishme të projektit dhe planet për fazat e ardhshme, përfshirë hartimin e metodologjive për përballimin e emergjencave, platformën online të trajnimit për stafet shëndetësore dhe aktivitetet e angazhimit me komunitetin.
Znj. Deda konfirmoi mbështetjen e OSHKSH-së në këtë proces, duke caktuar 10 pika kontakti nga stafi i institucionit, përfshirë përfaqësues nga drejtoria qendrore dhe nga drejtoritë rajonale për të lehtësuar koordinimin dhe zbatimin e suksesshëm të projektit.
Në mbyllje, palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të qëndrueshëm, ndarjen e informacionit dhe përgatitjen për një fazë të dytë të projektit, si dhe shfrytëzimin e çdo mundësie për të përmirësuar cilësinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve shëndetësore për komunitetin, sidomos në përballjen me situata emergjente si tërmetet dhe përmbytjet.