Tryeza e diskutimit e organizuar nga projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP), me fokus bashkëpunimin me universitetet për zhvillimin e burimeve njerëzore në Kujdesin Shëndetësor Parësor, mblodhi një pjesëmarrje të gjerë të aktorëve kryesorë të sistemit shëndetësor, përfaqësues të institucioneve akademike, partnerëve ndërkombëtarë dhe institucioneve publike.
Takimi u hap nga Drejtoresha e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, znj. Jeta Deda, e cila theksoi rëndësinë strategjike të investimeve në burimet njerëzore si një nga shtyllat kryesore për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Ajo nënvizoi se Kujdesi Shëndetësor Parësor mbetet pika e parë e kontaktit për qytetarët dhe se cilësia e këtij shërbimi lidhet drejtpërdrejt me përgatitjen, profesionalizmin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të stafit.
Në fjalën e saj, znj. Deda evidentoi gjithashtu nevojën për një qasje më të strukturuar dhe të qëndrueshme në zhvillimin profesional të punonjësve të shëndetësisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me institucionet akademike dhe partnerët zhvillimorë.
Gjatë tryezës së diskutimit, një kontribut i veçantë u dha nga Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Krujë, z. Redion Rroshi, i cili ndau eksperiencën e tij pas përfundimit të programit të masterit në menaxhim shëndetësor, të mbështetur nga projekti HAP. Ai solli në vëmendje ndikimin konkret që ky formim ka pasur në përmirësimin e praktikave menaxheriale në nivel vendor, duke theksuar rëndësinë e investimeve në kapacitetet drejtuese.
Në këtë kontekst, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) ka ndërmarrë një sërë iniciativash konkrete për ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm zhvillimi të burimeve njerëzore. Një ndër iniciativat kryesore është bashkëpunimi me Shkollën Shqiptare për Administratën Publike (ASPA), me synim krijimin e një modeli të ri formimi për profesionistët e shëndetësisë, të ngjashëm me atë të nëpunësve civilë.
Ky model synon standardizimin e trajnimeve, rritjen e kapaciteteve menaxheriale dhe administrative, si dhe promovimin e një kulture institucionale të bazuar në meritë, transparencë dhe zhvillim të vazhdueshëm profesional.
Paralelisht, OSHKSH është angazhuar në rishikimin e skemave të vlerësimit dhe përzgjedhjes së mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë, me synim forcimin e meritokracisë dhe aplikimin e një vlerësimi më të plotë që përfshin kualifikimet akademike, aftësitë praktike dhe performancën profesionale.
Ndërhyrjet e mbështetura nga projekti HAP kanë kontribuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sistemit shëndetësor dhe universiteteve, duke orientuar formimin profesional drejt nevojave konkrete të shërbimeve.
Në një sistem shëndetësor në transformim, lidhja midis arsimit, praktikës dhe politikëbërjes mbetet thelbësore. Në këtë kuadër, përdorimi i të dhënave dhe kërkimit operacional në vendimmarrje konsiderohet një element kyç për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve.
OSHKSH mbetet i angazhuar për të çuar përpara këto reforma, me synimin për të ndërtuar një sistem shëndetësor më të fortë, më profesional dhe më pranë qytetarëve.
