Në mjediset e Drejtorisë Qendrore të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u zhvillua aktiviteti për shpërndarjen e pajisjeve mjekësore në kuadër të projektit “SOLIDAR – Bashkë në Emergjencat Shëndetësore”, me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Shqipëri.

Në aktivitet morën pjesë Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Eugena Tomini, Drejtorja e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, znj. Jeta Deda, përfaqësuesja e Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, znj. Zheni Zanaj, si dhe përfaqësues të projektit SOLIDAR, z. Ervin Toci dhe znj. Evis Sferdelli.

Aktiviteti u fokusua në mbështetjen e institucioneve shëndetësore me pajisje të domosdoshme për forcimin e kapaciteteve të kujdesit urgjent. Gjatë aktivitetit u prezantuan pajisjet mjekësore, duke vijuar më pas me dorëzimin zyrtar të tyre pranë institucioneve përfituese.

Nëpërmjet projektit SOLIDAR, rreth 700 pajisje mjekësore do të shpërndahen në 12 qendra shëndetësore 24/7 dhe 7 spitale bashkiake. Pajisjet përfshijnë defibrilatorë, aparate elektrokardiogrami (EKG), reanimatorë manualë, aspiratorë portativë, pulsoksimetra, glukometra, sete mikrokirurgjie, drita pupilare, çanta urgjence, si dhe pajisje të tjera të domosdoshme për ofrimin e kujdesit në situata urgjente.

Të kombinuara me trajnimet e ofruara më parë për profesionistët shëndetësorë nëpërmjet projektit SOLIDAR, këto pajisje do të kontribuojnë në përmirësimin e kujdesit urgjent, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e gatishmërisë për reagim në kohë ndaj urgjencave shëndetësore në të gjithë vendin.

Ky bashkëpunim ndërmjet institucioneve shqiptare dhe palës zvicerane përbën një tjetër kontribut në forcimin e kujdesit urgjent dhe rritjen e gatishmërisë së institucioneve shëndetësore, duke mbështetur përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve shëndetësore të ofruara për qytetarët.