Në kuadër të fazës së kapitalizimit të Projektit “Shëndet për të Gjithë” (HAP), u zhvillua forumi me temë “Kujdesi Shëndetësor në Banesë: Reflektim mbi zhvillimin, shtrirjen dhe konsolidimin e shërbimit”, një aktivitet që bashkoi përfaqësues të institucioneve shëndetësore, profesionistë të kujdesit parësor dhe partnerë zhvillimi për të analizuar rrugëtimin dhe perspektivën e këtij modeli shërbimi. Ky forum u organizua në një moment të rëndësishëm për projektin HAP, i cili ka hyrë në fazën e kapitalizimit, një proces që synon të nxjerrë mësime nga përvoja e deritanishme dhe të orientojë politikat dhe ndërhyrjet e ardhshme mbi bazën e praktikave më të mira dhe analizës së sfidave reale.
Kujdesi Shëndetësor në Banesë përfaqëson një nga zhvillimet më të rëndësishme të viteve të fundit në sistemin shëndetësor, duke kaluar nga një projekt pilot i nisur në vitin 2021 në vetëm 9 qendra shëndetësore, në një shërbim të shtrirë sot në 356 qendra në të gjithë vendin. Ky transformim pasqyron jo vetëm zgjerimin e aksesit, por edhe ndryshimin e qasjes ndaj kujdesit, duke e zhvendosur atë nga struktura tradicionale drejt komunitetit dhe banesës së pacientit, veçanërisht për personat me sëmundje kronike dhe grupet vulnerabël që e kanë të vështirë të paraqiten pranë qendrave shëndetësore.
Në këtë proces, roli i Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka qenë thelbësor në koordinimin dhe zhvillimin e shërbimit në nivel kombëtar, ndërsa Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Qendrat Shëndetësore kanë siguruar zbatimin konkret në terren, duke e integruar këtë shërbim në aktivitetin e tyre të përditshëm dhe duke garantuar vazhdimësinë dhe cilësinë e tij.
Një moment i rëndësishëm i forumit ishte paneli i diskutimit mbi rrugëtimin e shërbimit nga pilotimi drejt institucionalizimit, ku morën pjesë Drejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH, Jeta Deda, dhe Drejtoresha Rajonale e OSHKSH Vlorë, Olta Ganaj, së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe strukturave të tjera të kujdesit parësor. Në diskutimet e tyre u theksua se ky model tashmë përbën një pjesë integrale të sistemit shëndetësor dhe se sfida kryesore mbetet konsolidimi i tij përmes standardizimit, monitorimit të vazhdueshëm dhe sigurimit të qëndrueshmërisë financiare dhe institucionale.
Gjatë forumit u evidentua se një nga shtyllat kryesore të suksesit të Kujdesit Shëndetësor në Banesë ka qenë ndërtimi i një baze të fortë standardesh, përmes hartimit të protokolleve klinike për sëmundjet kronike, manualeve të trajnimit dhe rregulloreve të brendshme që orientojnë punën e stafit në terren. Në të njëjtën kohë, investimet në trajnimin e profesionistëve dhe në pajisjet mjekësore dhe teknologjike kanë rritur ndjeshëm kapacitetet e shërbimit, duke mundësuar ofrimin e një kujdesi më cilësor dhe më të strukturuar në komunitet.
Një aspekt i rëndësishëm i diskutimeve ishte edhe roli në rritje i infermierëve, të cilët kanë fituar më shumë autonomi dhe përgjegjësi në ofrimin e shërbimit, duke u bërë një hallkë kyçe në funksionimin e modelit dhe në kontaktin e drejtpërdrejtë me pacientin dhe familjen e tij. Ky zhvillim reflekton një qasje moderne të organizimit të kujdesit shëndetësor, ku rolet profesionale përshtaten me nevojat reale të shërbimit.
Të dhënat e prezantuara gjatë forumit treguan një rritje të vazhdueshme të numrit të pacientëve të identifikuar dhe të vizitave në banesë ndër vite, duke dëshmuar jo vetëm zgjerimin e shërbimit, por edhe ndikimin e tij konkret në përmirësimin e aksesit dhe cilësisë së kujdesit për pacientët. Kjo ka sjellë përfitime të drejtpërdrejta për pacientët dhe familjarët e tyre, duke reduktuar nevojën për hospitalizime të panevojshme dhe duke forcuar rolin e kujdesit parësor si pika e parë e kontaktit me sistemin shëndetësor.
Në përmbyllje, forumi shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt reflektimit të përbashkët mbi atë çfarë ka funksionuar dhe mbi sfidat që mbeten, duke theksuar nevojën për të vazhduar investimet, për të forcuar mekanizmat e monitorimit dhe për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të shërbimit. Kujdesi Shëndetësor në Banesë tashmë është më shumë se një projekt; ai përfaqëson një model të konsoliduar shërbimi që i përgjigjet nevojave reale të qytetarëve dhe kontribuon në ndërtimin e një sistemi shëndetësor më gjithëpërfshirës, më të aksesueshëm dhe më të orientuar drejt komunitetit.
