Më datë 6 nëntor 2025 u zhvillua eventi “Prezantimi i zgjidhjeve novative”, pjesë e Laboratorëve të Inovacionit të projektit “Solidar – Bashkë në emergjencat shëndetësore”.
Në panel mori pjesë Drejtoresha e Përgjithshme, znj. Jeta Deda, e cila foli mbi procesin e digjitalizimit dhe rëndësinë e inovacionit në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në nivel kombëtar.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u përfaqësua gjithashtu nga z. Denis Ilias dhe z. Dorjan Sevo.
Ky aktivitet shënoi prezantimin final të një proçesi disamujor pune bashkëpunuese për shëndetësinë, në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri 2022-2025. Gjatë këtij cikli, 19 profesionistë nga disiplina të ndryshme të sistemit shëndetësor në vend punuan së bashku për të zhvilluar tri seminare me qëllim eksplorimin e sistemit të kujdesit shëndetësor emergjent në Shqipëri dhe identifikimin e mundësive kryesore për inovacion. Po ashtu, synohej hartimi dhe përmirësimi i zgjidhjeve të zbatueshme përmes instrumenteve bashkëpunuese me në qendër pacientin, si dhe krijimi i prototipeve dhe testimi i tyre me institucionet dhe qytetarët përdorues për të siguruar realizueshmërinë dhe ndikimin e tyre. Ky proçes kontribuoi në zhvillimin e prototipeve inovative që synojnë përmirësimin e qasjes në kujdesin emergjent cilësor, me fokus të veçantë te grupet më të cënueshme.
Nëpërmjet këtij proçesi, u zhvilluan zgjidhje novatore të shkallëzueshme me fokus te pacientët, të cilat adresojnë sfida reale dhe krijojnë mundësi të reja për forcimin e rezistencës të kujdesit emergjent.
Gjatë tre seminareve intensive të zhvilluara, pjesëmarrësit fituan përvojë praktike në zgjidhjen e problemeve, përdorimin e instrumenteve të të menduarit praktik si projektues dhe zhvilluan zgjidhje inovatore me në qendër pacientin, të cilat priten të sjellin ndikim konkret në kujdesin shëndetësor dhe në reagimin ndaj emergjencave në Shqipëri.
Aktiviteti Prezantues i Zgjidhjeve Novative solli një ndërthurje të ideve dhe veprimit, ku të ftuarit patën mundësinë të ndiqnin prezantime të drejtpërdrejta dhe demonstrime ndërvepruese të zgjidhjeve të propozuara, të komunikonin me ekipet krijuese të zgjidhjeve, të testonin prototipet dhe të ndanin përshtypjet e tyre për përmirësimin dhe zbatimin e mëtejshëm të këtyre iniciativave. Aktiviteti përfundoi me përmbledhjen e hapave të mëtejshëm dhe planin për bashkëpunim, si dhe çertifikimin e pjesëmarrësve të Laboratorit të Inovacionit.
Pjesëmarrja e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ishte thelbësore për garantimin e zhvillimit të këtyre inovacioneve në nisma të qëndrueshme për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe të gjithë sistemit shëndetësor duke garantuar që rezultatet e këtyre iniciativave të sjellin ndryshim real.
