Më datë 8 korrik 2025, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) organizoi seminarin me temë “Masa Siguri, Privatësi dhe Mbrojtje në Shqipërinë e së Nesërmes”.
Në seminar morën pjesë autorë të artikujve të revistës juridike Shqiptare, përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut. Në këtë seminar morën pjesë edhe përfaqësues nga Drejtoria Qendrore e OSHSH-së, z. Dorian Sevo, z. Denis Ilias dhe z .Novi Karriqi.
Në referimin e mbajtur nga z. Armand Braho, gazetar dhe lektor i së drejtës, u theksua disproporcionaliteti në vendimet e gjykatave shqiptare për caktimin e masave të sigurimit personal. Ai theksoi se gjatë dekadës së fundit janë marrë masa sigurie të rënda edhe në raste të shkeljeve të lehta ligjore, duke cënuar në mënyrë serioze të drejtat themelore të individit. Ndër faktorët që kontribuojnë në këtë situatë, ai përmendi mungesën e formimit të thelluar juridik të gjyqtarëve dhe kufizimet në kuptimin e tyre të legjislacionit penal. Një rast konkret u trajtua në burgun e Drenovës në Korçë, ku u identifikua një disproporcionalitet i theksuar mes veprave penale dhe masave të marra.
Znj. Irena Staka, përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë, analizoi legjislacionin penal mbi krimin kibernetik në Shqipëri, duke u ndalur te Konventa e Budapestit dhe protokollet e saj. Ajo evidentoi ndikimin e këtyre instrumenteve ndërkombëtare në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian dhe nevojën për ndryshime konkrete në Kodin e Procedurës Penale dhe ligje të tjera për të garantuar standarde të qarta në mbledhjen dhe administrimin e provave elektronike.
Znj. Ana Duraku, avokate pranë “Meksi Law and Consulting”, trajtoi çështjen e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave financiare. Ajo theksoi përparimin e bërë nga bankat në garantimin e sigurisë së informacionit personal të qytetarëve përmes teknologjive moderne dhe sistemeve të sigurta, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së konfidencialitetit të të dhënave financiare.
Në fund, znj. Elsa Dragoti, specialiste e jashtme për edukimin qytetar pranë Kuvendit të Shqipërisë, foli për politikën europiane të migracionit dhe rregullat e reja për kthimin. Ajo sqaroi problematikat që ka hasur Bashkimi Europian për shkak të fluksit të lartë të emigrantëve nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht nga Shqipëria, dhe sfidat që lidhen me kërkesat për azil. U përmend se BE është duke punuar për një ligj të ri që do të lejojë emigrantët të qëndrojnë në vendet e unionit me leje pune, duke ndihmuar kështu integrimin dhe lehtësuar barrën mbi shtetet pritëse.
Seminari “Masa Sigurie, Privatësi dhe Mbrojtje në Shqipërinë e së Nesërmes” i shërben DQOSHSH në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe orientimin drejt standardeve europiane. Diskutimet rreth disproporcionalitetit të masave të sigurimit, krimeve kibernetike, mbrojtjes së të dhënave financiare dhe politikave të migracionit ndihmojnë institucionin në përmirësimin e praktikave ligjore, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe hartimin e strategjive të reja për mbështetjen e qytetarëve, veçanërisht atyre në situata vulnerabël.