Përfaqësues të institucioneve shëndetësore dhe arsimore shqiptare morën pjesë në një vizitë studimore në Ankona, Itali, nga data 5 deri më 8 shkurt 2025, në kuadër të projektit “Shkollat për Shëndetin”, një nismë e financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe e zbatuar nga organizata Save the Children.
Qëllimi i vizitës ishte shkëmbimi i praktikave më të mira dhe njohja me modelet evropiane për promovimin e shëndetit në mjediset arsimore dhe komunitare, duke synuar reduktimin e faktorëve të rrezikut për sëmundjet jo të transmetueshme tek fëmijët dhe të rinjtë.
Delegacioni shqiptar përfshinte përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Instituti i Shëndetit Publik, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, drejtori rajonale dhe zyra vendore të arsimit parauniversitar, si dhe përfaqësues nga Bashkia Berat.
Gjatë ditëve të vizitës, u zhvilluan takime me institucione kyçe të Rajonit Marke dhe u prezantuan modele të avancuara si programi “Shkollat që Promovojnë Shëndetin”, pjesë e rrjetit evropian SHE (Schools for Health in Europe), i mbështetur nga OBSH dhe Komisioni Evropian. Ky program përfshin struktura koordinuese shëndetësore dhe arsimore, grupe pune lokale dhe një sistem të rregullt monitorimi për vlerësimin e progresit në shkolla.
Një nga elementët më të veçantë të vizitës ishte njohja me qasjen e edukimit nga bashkëmoshatarët, e cila zbatohet me sukses në shkollat e Rajonit Marke, sidomos në Ascoli Piceno. Ky model ofron trajnime praktike dhe online mbi temat që lidhen me shëndetin seksual, përdorimin e substancave, si dhe sjellje të tjera me rrezik për të rinjtë.
Vizita përfshiu gjithashtu vizita në institucione si Centro Servizi Volontariato (CSV Marke ETS), një strukturë që mbështet aktivizmin vullnetar në sektorin bio-psiko-social, si dhe Agjencinë Rajonale të Shëndetësisë, ku delegacioni shqiptar pati mundësinë të shohë nga afër implementimin e projekteve shëndetësore në nivel komuniteti.
Kjo eksperiencë solli vlera konkrete për përfaqësuesit shqiptarë, duke ndihmuar në identifikimin e praktikave që mund të përshtaten në kontekstin shqiptar. U rekomandua krijimi i një rrjeti kombëtar të shkollave që promovojnë shëndetin dhe zhvillimi i programeve të edukimit nga bashkëmoshatarët, të shoqëruara me mekanizma të qartë monitorimi dhe vlerësimi.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor do të vijojë të mbështesë dhe promovojë këto iniciativa, në funksion të një sistemi më të shëndetshëm arsimor dhe komunitar për brezat e rinj në Shqipëri.