Më 3 – 4 tetor 2024, në qytetin e Shëngjinit, Lezhë, u organizua Forumi Kombëtar “Shërbime të Integruara Shëndetësore dhe Sociale më afër Fëmijëve dhe Familjeve”, i cili u përqendrua në modelet e reja të bashkëpunimit ndërmjet shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale. Ky forum kishte për qëllim të theksonte përkushtimin e institucioneve për të ofruar shërbime sa më të integruara, duke mos lënë askënd pas.
Në këtë forum morën pjesë personalitete të larta të institucioneve vendimmarrëse dhe përfaqësues nga organizata ndërkombëtare si UNICEF dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Diskutimet u përqendruan në vizionin e përbashkët për shërbimet e integruara shëndetësore dhe sociale, me një qasje multidisiplinare që përfshin bashkëpunimin ndërmjet sektorëve shëndetësorë dhe socialë për t’i sjellë këto shërbime më pranë fëmijëve dhe familjeve shqiptare.
Në fokus të forumit ishte Modeli Universal Progresiv i Vizitave të Konsultorit në Shtëpi, një nismë e mbështetur nga UNICEF Shqipëri dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ky model synon fuqizimin e kujdesit shëndetësor parësor përmes vizitave në shtëpi, duke krijuar një sistem referimi të mirëstrukturuar për fëmijët dhe familjet në risk. Shërbimet e ofruara nga ekipet multidisiplinare, që përfshijnë mjekë, infermierë, psikologë dhe punonjës socialë, sigurojnë një qasje gjithëpërfshirëse që fokusohet në mbrojtjen e kapitalit njerëzor.
Në kuadër të shërbimeve të integruara, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka bërë përparime të rëndësishme në përmirësimin e kujdesit shëndetësor për fëmijët dhe grupet vulnerabël. Gjatë periudhës janar-shtator 2024, janë realizuar:
– 154526 vizita për fëmijët e moshës 0-12 muaj,
– 437022 vizita për grupmoshat pediatrike (1-18 vjeç),
– 9769 vizita nga stafet psiko-sociale,
– 2446 vizita nga logopedët,
– 7081 vizita nga fizioterapistët në qendrat socio-shëndetësore.
Këto të dhëna tregojnë angazhimin e vazhdueshëm për të ofruar një kujdes sa më gjithëpërfshirës dhe cilësor për të gjithë fëmijët dhe familjet shqiptare.
Një element i rëndësishëm i këtij modeli është bashkëpunimi ndërsektorial, duke përfshirë shërbimet shëndetësore dhe ato sociale për të ofruar një mbështetje të plotë për familjet në nevojë. Përmes njësive vendore të kujdesit shëndetësor dhe Shërbimit Social Shtetëror, ka një angazhim të madh për të përmirësuar aksesin në këto shërbime të integruara. Në forum, u theksua rëndësia e qasjes multidisiplinare në ofrimin e shërbimeve, duke krijuar mundësi më të mira për identifikimin e hershëm të problematikave dhe ofrimin e zgjidhjeve të personalizuara për çdo familje.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Shërbimi Social Shtetëror po punojnë ngushtë për të zgjeruar këtë model në të gjitha rajonet e vendit, duke u siguruar që çdo qendër shëndetësore të plotësohet me stafin e nevojshëm dhe që çdo familje të ketë akses në shërbimet më të mira të mundshme. Qëllimi është që, përmes këtij bashkëpunimi, të sigurohet që asnjë fëmijë apo familje të mos mbetet pa mbështetje.
Ky forum kombëtar na ka treguar se, përmes bashkëpunimit ndërsektorial dhe qasjes së integruar, Shqipëria po ndërton një model të qëndrueshëm për mbrojtjen e kapitalit njerëzor. Falë përpjekjeve të përbashkëta të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe partnerëve ndërkombëtarë, po ndërtojmë një sistem që vë fëmijët dhe familjet në qendër të kujdesit dhe që synon të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e çdo qytetari.