Më 17 shtator 2024, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, organizoi një aktivitet të rëndësishëm për prezantimin e Rekomandimit Unifikues mbi respektimin e detyrimeve ligjore në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale në qendrat shëndetësore dhe qendrat e specialiteteve.
Ky rekomandim vjen si rezultat i hetimeve administrative të realizuara nga Zyra e Komisionerit në institucionet publike shëndetësore të kujdesit parësor. Duke pasur parasysh rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, ky dokument synon përmirësimin e standardeve në përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave sensitive të qytetarëve.
Në fjalën e tij, Komisioneri Besnik Dervishi theksoi se ky hap është thelbësor për zbatimin e legjislacionit në mbrojtjen e të dhënave personale. Ai vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për garantimin e sigurisë së të dhënave që përpunohen në sistemin shëndetësor. “Investimi në burime njerëzore dhe teknologjike është kyç për të siguruar një nivel të lartë mbrojtjeje,” tha z. Dervishi.
Ambasadori i OSBE-së, z. Michel Tarran, e përshëndeti këtë nismë, duke vlerësuar rëndësinë e një sistemi të qëndrueshëm shëndetësor për shoqërinë. Ai theksoi mbështetjen e OSBE-së në forcimin e kapaciteteve për mbrojtjen e të dhënave në Shqipëri dhe garantimin e përputhshmërisë me legjislacionin ndërkombëtar.
Në këtë aktivitet, Drejtoresha e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, znj. Jeta Deda, mbajti një fjalim ku u përqendrua në sfidat dhe përpjekjet për përmirësimin e politikave të mbrojtjes së të dhënave në rrjetin e qendrave shëndetësore dhe institucioneve të specializuara. Ajo theksoi se respektimi i masave teknike dhe organizative është thelbësor për të ruajtur besimin e qytetarëve dhe për të rritur sigurinë në përpunimin e të dhënave. “Qëllimi ynë është të ndërtojmë një sistem shëndetësor që jo vetëm ofron shërbime të larta cilësore, por edhe mbron privatësinë e çdo qytetari,” theksoi znj. Deda.
Takimi u përmbyll me diskutime dhe pyetje nga pjesëmarrësit, ku u trajtuan sfidat kryesore dhe hapat që do të ndërmerren për zbatimin e rekomandimeve të prezantuara.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet për përmirësimin e sigurisë së të dhënave në sektorin e shëndetësisë dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve për privatësinë e tyre.