Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u krijua në vitin 2018 me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 419, datë 4.7.2018 “Për krijimin, mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor”.
Institucioni u krijua në vazhdën e logjikës së simotrave të veta europiane që shpesh njihen si shërbime kombëtar shëndetësore (national health services). Fillimisht OSHKSH (Operatori në vijim) filloi të funksiononte pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, derisa arriti të ravijëzonte strukturën e vet të qëndrueshme që shtrihet edhe në territor.
Operatori sot ka në varësi, monitorim e mbikëqyrje drejtoritë e veta rajonale, njësitë e veta vendore, qendrat shëndetësore dhe spitalet bashkiakë e rajonalë.
Operatori ka themeluar medotën transparente të punësimeve në sistemin shëndetësor dhe portalet kryesore funksionale janë “Mjek për Shqipërinë” dhe “Infermier për Shqipërinë”.
Në vite, Operatori ndihmon në zotësimin e spitaleve në vend për t’u mëvetësuar si autonomë në menaxhim.
Drejtuesit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në vite:
Jeta Deda
Drejtore e Përgjithshme | Dhjetor 2023 – 2026
Jeta Deda ka drejtuar Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor për rreth tre vite. Është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës, ku ka përfunduar studimet Master Shkencor në të Drejtë Penale, si dhe është specializuar në të Drejtën e Punës pranë Universitetit Federico II të Napolit, Itali.
Ka mbi dhjetë vite përvojë në administratën publike, ku ka mbajtur funksionet e Drejtores së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Drejtores së Përgjithshme të Agjencisë për Hartimin e Programeve të Veçanta të Shtetësisë dhe funksione analitike e këshilluese pranë Kabinetit të Kryeministrit. Ka qenë gjithashtu konsulente për politikat shëndetësore pranë kompanisë britanike Global Counsel dhe pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës.
Markens Shllaku
Drejtues i OSHKSH-së | 2023
Dr. Markens Shllaku është diplomuar në Mjekësi të Përgjithshme në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, dhe ka përvojë në menaxhimin e institucioneve shëndetësore, politikat shëndetësore dhe financimin e shërbimeve shëndetësore.
Ka ushtruar funksionet e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të OSHKSH-së, Drejtorit Rajonal të OSHKSH-së në Tiranë dhe Shkodër, si dhe Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Më herët ka qenë Drejtor Rajonal i FSDKSH-së në Shkodër dhe mjek familjeje. Është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie universitare dhe bashkëpunime ndërkombëtare në fushën e sistemeve shëndetësore.
Mirela Cami
Drejtore e Përgjithshme | 2019 – 2023
Mirela Cami ka drejtuar Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor për rreth pesë vite. Ka një përvojë profesionale mbi 30-vjeçare në administratën publike dhe organizata ndërkombëtare. Zotëron diplomë Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i New York-ut në Tiranë, si dhe diploma Bachelor në Financë nga Universiteti i Tiranës dhe në Matematikë nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani”.
Gjatë karrierës ka mbajtur funksione të larta drejtuese në administratën publike, përfshirë pozicionin e Drejtores së Përgjithshme të Zhvillimit të Politikave të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor në Ministrinë e Arsimit, si dhe të Drejtores së Përgjithshme të Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar. Ka kryer kualifikime në lidership, menaxhim, analizë të të dhënave dhe menaxhim projektesh.
Mirela Hasani
Drejtore e parë e Përgjithshme | 2019
Dr. Mirela Hasani është drejtuesja e parë e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, që nga themelimi i institucionit në vitin 2019. Është diplomuar në Mjekësi në Universitetin e Plevenit, Bullgari, dhe është specializuar në Alergologji dhe Imunologji Klinike pranë QSUT-së. Ka ndjekur gjithashtu studime doktorale në Universitetin e Mjekësisë në Sofje.
Ka një përvojë të gjatë në shërbimet klinike dhe administrimin shëndetësor. Përpara drejtimit të OSHKSH-së ka mbajtur funksionin e Zëvendësdrejtores së Përgjithshme të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe ka ushtruar profesionin e mjekes në shërbimet ambulatore dhe spitalore. Ka qenë gjithashtu e angazhuar në drejtimin e Komitetit të Etikës për Studimet dhe Provat Klinike.
